Banorët e fshatit Kërçisht i Sipërm në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër prej një jave vazhdojnë protestat për kundërshtimin e marrjes së ujit të pijshëm nga burimet e këtij fshati.
Ndonëse Kërçishti i Sipërm është ndër 100 fshatrat e përzgjedhur si Fshat turistik, sipas banorëve këtu nuk është bërë ende asnjë investim, ndonëse kanë bllokuar edhe investimin për rehabilitimin e rrugës, pasi mendojnë se po mashtrohen për tu marrë ujin e pijshëm.Por të dhënat që merren nga përfaqësues të bashkisë Dibër flasin për fillimin e investimit për ndërtimin e rrugës së fshatit Kërçisht i Sipërm sipas parametrave bashkëkohorë.
Sipas këtij burimi zyrtar vetëm atëherë do të negociohet me banorët e Kërçisht për marrjen e tepricës së ujit të pijshëm për rrjetin e ujësjellësit që do të ndërtohet për fshatra të tjerë, pa cënuar furnizimin me ujë të pisjhëm dhe vaditës të tre fshatrave të Kërçishtit. Nëse ky konsensus nuk arrihet, Bashkia nuk do të ndërhyjë për marrjen e ujit nga burimet e fshatit Kërçisht.
Ndërsa i bëhet thirrje banorëve të mos e pengojnë projektin e shtrimit të asfalt të rrugës së fshatit Kërçisht, pasi vetëm kështu i hapet rruga turizmit, në këtë fshat të përzgjedhur ndër 100 fshatrat turistik. /btvnews.al