Gjiganti i rrjeteve sociale, Meta, më 1 gusht tha se synon që të kërkojë nga përdoruesit që gjenden në shtetet e Bashkimit Evropian që ata të japin pëlqim për lejimin e përdorimit të të dhënave gjatë reklamimit, përfshirë në Facebook. Ky njoftim vjen pas presionit të bërë nga rregullatorët evropianë.
Meta tha se ndryshimet synojnë të adresojnë “kërkesat e rregullatorëve” pas mospajtimeve me Komisionin irlandez për Mbrojtjen e të Dhënave, që mbikëqyrë rregullat e BE-së sa i përket të dhënave, në bazë të të cilave Meta drejton operacionet e saj evropiane.
Në janar, rregullatorët evropianë kishin hedhur poshtë bazën ligjore që përdorej deri atëherë – që njihen si “interesat legjitime” – , duke argumentuar se Meta kishte përdorur këtë bazë ligjore për të justifikuar mbledhjen e të dhënave personale të përdoruesve të cilat i ka përdorur gjatë reklamave.
Aktualisht, personat që hapin llogari në Facebook dhe Instagram e kanë të aktivizuar këtë leje, duke bërë që Meta të marrë të dhënat e tyre dhe të gjenerojë miliarda dollarë duke i përdorur në reklama.
“Sot, ne njoftojmë për qëllimin tonë për të ndryshuar bazën ligjore që ne përdorim për disa të dhëna që përdorim për reklamim nga përdoruesit në BE, në Zonën Ekonomike Evropiane dhe Zvicër nga ‘interesat legjitime’ në ‘pëlqim’”, u tha në një postim të Meta-s.
Meta shtoi se do të ndajë informacione gjatë muajve në vijim teksa po vazhdon “angazhimin konstruktiv” me rregullatorët.
Meta dhe kompanitë e tjera të mëdha të teknologjisë nga Shtetet e Bashkuara janë përballur me gjoba të larta për shkak të praktikave të biznesit në BE në vitet e fundit, lidhur me rregullat strikte të bllokut për privatësinë e të dhënave./REL