Fshati për të cilin bën fjalë kjo kronikë është i veçantë pasi 80 familjet e tij mbijetojnë vetëm me bimë medicionale.
Ky është fshati Rabdisht, në Nësinë Administrarive Melan të bashkisë Dibër.
Banorët e këtij fshati për çdo sezon veror mbledhin boronicë të egër.
Por këtë vit, sipas Tofik Elezit që e takuam tek tregtonte boronicë para Prefekturës së Qarkut Dibër, prodhimi i kësaj bime medicinale ka qenë i pakët, si pasojë e motit të pafavorshëm.
Ai kërkon që shteti t’i ndihmojë për të gjetur treg shitjeje me shumicë për boronicën dhe bimët e tjera mjekësore të këtij fshati dhe jo të torturohen duke e shitur me pakicë nëpër trotuare, pasi për ta, bimët medicinale janë mënyra e vetme e të ardhurave për jetesë.
Banorët e fshatit Rabdisht gjatë kësaj periudhe zgjohen familjarisht që në orën 4 të mëngjesit me të gjithë pjestarët e familjes, që nga mosha 7-vjeçare e sipër dhe i drejtohen malit të Korabit dhe Bjeshkëve të Dibrës për të mbledhur boronicë dhe bimë të tjera mjekësore, për të siguruar sadopak të ardhura për të jetuar. /btvnews.al