Akt-padia përfshin akuza për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në 2020
Rëndohen akuzat ndaj ish-Presidentit amerikan Donald Trump. Prokurori i Posaçëm ngriti akuza të reja pas hetimeve të Departamentit të Drejtësisë për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Akt-padia përfshin akuza për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe ndërhyrje ndaj dëshmitarëve. Kjo është akt-padia e tretë kriminale ndaj ish-Presidentit, i cili ka vënë sërisht kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Prokurorët federalë thonë se Donald Trumpi ishte “i vendosur të qëndronte në pushtet”, duke thurrur komplote kundër “themelit ku mbështetet funksionimi i qeverisë federale të Shteteve të Bashkuara: procesi i grumbullimit, numërimit dhe çertifikimit të rezultatit të zgjedhjeve presidenciale”.
Akuzat e reja janë të pashembullta, për pretendimin e tyre se një ish-President, u përpoq të minojë bazat e demokracisë në një përpjekje të dëshpëruar, që më në fund dështoi, për të mos u larguar nga pushteti.
Vetë Trump, përkrahësit e tij dhe madje edhe disa prej kandidatëve republikanë, pritet ta kundërshtojnë akt-padinë dhe ta quajnë një sulm tjetër të motivuar politikisht ndaj tij. Megjithatë, akuzat përqëndrohen në ngjarjet që ndodhën gjatë dy muajve, pas zgjedhjeve të Nëntorit të vitit 2020, rezultatin e të cilave ish-Presidenti Trump refuzoi ta njohë, duke përhapur gënjeshtra.
Në total, Trump po përballet me 40 akuza penale për keqpërdorimin e tij të dyshuar të materialeve të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë. Mijëra dokumente u sekuestruan në një kontroll të FBI-së në pronën e tij në Florida, Mar-a-Lago vitin e kaluar, duke përfshirë rreth 100 që u shënuan si të klasifikuara. Mes një morie akuzash që rëndojnë ndaj ish-Presidentit amerikan, Trump është akuzuar për falsifikimin e të dhënave financiare të biznesit të tij, duke fshehur një pagesë për të blerë heshtjen e një aktoreje të njohur të filmave pornografikë, në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Këto akuza në teori mund të çojnë në burgim të konsiderueshëm nëse Trump dënohet. Por logjistika, siguria dhe politika e burgosjes së një ish-Presidenti nënkuptojnë se një dënim konvencional me burgim shihet si i pamundur nga shumë ekspertë. /btvnews.al