E premte, 29 Nëntor, 2024

Basha takim me strukturat në Berat: Ujësjellësit në vend në prag falimenti, kuvli korrupsioni

Lulzim Basha ka zhvilluar sot një takim me strukturat drejtuese të selisë blu në qarkun e Beratit.

Ai theksoi se tashmë ka nisur nga puna për riorganizmin dhe ringritjen e forcës politike përballë qeverisë që sipas tij po kalon më shumë kohë në zyrat e SPAK.

REAGIMI I BASHËS:

Me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike të Qarkut të Beratit, nisëm punën për riorganizimin dhe ringritjen e forcës sonë politike në lartësinë e pritshmërive të qytetarëve dhe të gatshme të përballet me këtë qeveri të korruptuar, e cila po kalon më shumë kohë në zyrat e SPAK-ut sesa në krye të detyrës.

Abuzimi dhe shpërdorimi me pronat dhe taksat e shqiptarëve janë të kudondodhura, siç është rasti i ujësjellësave anembanë vendit, të cilët janë në prag falimenti sepse janë kthyer në kuvli korrupsioni dhe ndërmarrje publike në të cilat punësohen militantë në shërbim të pushtetit. Kostot e këtij dështimi korruptiv i paguajnë qytetarët e që ky abuzim të marrë fund, drejtësia duhet të bëjë detyrën e saj duke vendosur para përgjegjësisë ata që kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin dhe kanë dëmtuar interesat e qytetarëve.

Përballja pakompromis me korrupsionin, partneriteti i padiskutueshëm me aleatët strategjikë të Shqipërisë, pastrimi i politikës përmes vetting-ut, dhënia e fuqisë qytetarëve të zgjedhin me votë përfaqësuesit e tyre në Parlament, vota e diasporës, kufizimi i mandateve, rritja e kontrollit dhe llogaridhënies së qeverisë janë busulla jonë në rrugëtimin e ri që kemi nisur për çlirimin e politikës dhe ekonomisë. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit