E premte, 29 Nëntor, 2024

12 vjet premtime për asfaltimin e rrugës. Golloborda pret ndërhyrje

Banorët e fshatrave që përfshihen nga rruga Ura e Çerenecit – Stëblevë vijojnë të kërkojnë përmirësimin e infrastrukturës së kësaj rruge, e cila për ta është kthyer në një gangrenë. Ndonëse rruga është premtuar se do të asfaltohet prej 12 vitesh ajo vijon të jetë e shtruar me zhavor.

Por si të mos mjaftonte kjo, në rrugë janë shfaqur gropa të shumta duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve edhe në këtë periudhë.

Drejtuesit e mjeteve shprehen se megjithëse investohen qindra miliona lekë për mirëmbajtje, gjendja e rrugës është e vështirë në çdo stinë të vitit. Njëri prej tyre, emigrant në Itali,duke qarkulluar nëpër këtë aks rrugor tregon se i është çarë goma e makinës nga rruga e degraduar.

Ai thotë se kjo rrugë më kushtoi 200 mijë lekë të vjetra pasi dëmtimi i njërës gomë kërkon medoemos zëvendësimin edhe të gomës tjetër sipas kodit rrugor italian. Nga ana tjetër banorët në Gollobordë kërkojnë që të finalizohet projekti për sistemim-asfaltimin e këtij segmenti rrugor që jo vetëm është i domosdoshëm për ta por është edhe rruga lidhëse mes Bulqizës dhe Librazhdit.

Sipas tyre qeveria shqiptare e ka harruar Gollobordën ndaj dhe thonë se do të kërkojnë ndihmë nga shteti Bullgar.Që prej dy vitesh është lajmëruar financimi i projektit për asfaltimin e kësaj rruge, por në të vërtetë asfalti ka ardhur deri në fshatin Stëblevë të Librazhdit. /btvnews.al

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit