12 Gushti është Dita Ndërkombëtare e Rinisë dhe opinionet që morëm në këtë ditë tek qytetarët në Burrel e Klos targetonin pikërisht këtë shtresë të shoqërisë.
Opinionet rreth pyetjes se cila është arsyeja që rinia po largohet nga vendi ynë, të intervistuarit e lidhin me politikat e ndjekura shtetërore prej 30 vitesh, përsa i përket kushteve të punësimit dhe jetesës, duke mos arritur sigurimin e një të ardhme të rinisë këtu.
Pyetja e radhës ishte nëse e shohin të ardhmen e rinisë këtu, dhe a mendojnë se të rinjtë që kanë emigruar do të kthehen për ta ndërtuar jetën në Shqipëri?
Të intervistuarit treguan skepticizëm për rikthimin e të rinjve në Shqipëri, por ata kërkuan nga shteti të marrë masa sa më parë, pasi sipas tyre vendi është drejt shpopullimit brenda një 10-vjeçari.
Dita Ndërkombëtare e Rinisë, që kujtohet në datën 12 Gusht çdo vit, është një mundësi për të reflektuar mbi sfidat dhe nevojat e të rinjve dhe për të inkurajuar përpjekjet që i ndihmojnë ata të përfshihen në vendimmarrje dhe veprimtari të ndryshme në shoqëri. /btvnews.al