Milani nuk ka hequr dorë nga Armando Broja. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare të futbollit është i preferuari i kuqezinjve për ofensivën.
Shpresat janë rindezur sërish pas nisjes së bisedimeve Juventus-Chelsea për transferimin e Romelu Lukakut në Torino dhe të Dushan Vlahoviçit në Londër.
Nëse serbi vesh fanellën blu, atëherë klubi anglez do ta largojë Brojën sipas Sportmediaset, në mënyrë që të rregullojë bilancet e të krijojë më shumë hapësirë në ofensivë.
Sulmuesi 21-vjeçar shikohet si një lojtar me mjaft potencial dhe shqetësimi i vetëm te klubi italian është gjendja e tij pas dëmtimit të pësuar në gju, që e ka mbajtur jashtë fushe për një kohë të gjatë.
Por Milani synon që ta huazojë për një sezon Brojën, e më pas të ketë të drejtën e blerjes.
Një tjetër klub italian që interesohet për futbollistin e Kombëtares Shqiptare është edhe Roma.
Verdhekuqtë janë të interesuar që ta huazojnë 21-vjeçarin për këtë vit futbollsitik.