E hënë, 25 Nëntor, 2024

Arrestimet e SPAK për “sterilizimin”/ Kompania 2 vjet humbje, më pas doli me fitim, në 2020 MSH rinegocioi uljen e kostos

Por për vite me radhë nuk u bë e mundur. Dritëhijet e këtij koncesioni nisën që te kompania fituese pasi Ilir Rrapaj e kishte themeluar kompaninë e tij “Investal LLC” në Prishtinë, ndërsa prej vitesh jetonte në Umbria të Italisë. Atje thuhej se drejtonte një kompani të vogël ndërtimi. Një vit më vonë, në fakt, Prokuroria e Tiranës bëri me dije zyrtarisht se kontrata e sterilizimit nuk kishte elemente të veprës penale dhe e mbylli dosjen. Hetimi rinisi pas 3 vitesh kur ‘Thurja’ dërgoi një denoncim në SPAK. Prej asaj kohe nisën marrjet në pyetje të personave të dyshuar, por aksioni për ndalimin e tyre u zhvillua vetëm dy ditë më parë!

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për dosjen e koncesionit të sterilizimit të materialeve mjekësore kirurgjikale kanë nisur më 13 janar 2020 duke e bërë një nga çështjet e para të regjistruara pas krijimit të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Si bazë për nisjen e hetimeve ka shërbyer një kallëzim i nismës Thurje, ndërsa SPAK kërkoi nga prokuroria e Tiranës dosjen që ishte hetuar dhe pushuar për këtë çështje në vitin 2016.

Shpallja e procedurës është bërë më 16 shkurt 2015 ndërsa njoftimi i fituesit të koncesionit, sipas dokumentit të Ministrisë së Shëndetësisë, mban datën 28 shtator 2015. Në këtë njoftim, fituese është shpallur kompania “Sani Service” me aksioner mazhoritar në masën 40 për qind biznesmenin e arrestuar, Ilir Rrapaj. Afati i koncesionit është 10 vjeçar ndërkohë bilancet vjetore të dorëzuara në QKR nga kompania fituese për periudhën 2016-2022, tregojnë se të ardhurat në formën e pagesave nga buxheti i shtetit janë 8 miliardë lekë, ose 76 milionë euro.

Për dy vjet, “Sani Service” ka dalë me humbje, por në vitet e tjera koncesioni ka fituar rreth 7.3 milionë euro. Ministria e Financave, në një raport të vitit 2020 për zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin vë në dukje se risku i financimit është marrë përsipër nga buxheti duke paguar rreth 5 milionë euro më shumë vetëm për vitin 2018.

Numri i lartë i ndërhyrjeve kirurgjikale u bë shkak për rritjen e kostos së koncesionit. Në projektbuxhetin e vitit 2020, Ministria e Financave raportoi se vlera totale e kontratës për koncesionin e sterilizimit do të arrijë në 16.5 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që ishte raportuar në buxhetin e vitit 2018.

Sipas raportit, pagesat për kontratën realizohen sipas skemës (pay x use), ndaj tejkalimi në nivel vjetor i numrit të ndërhyrjeve të planifikuara ka sjellë kostot shtesë për buxhetin e shtetit. Ministria e Financave thekson se niveli i ndërhyrjeve i parashikuar në kontratë ishte 62 957, ndërkohë që vetëm për vitin 2018 janë realizuar 117 000 ndërhyrje”. Në vitin 2020, Ministria e Shëndetësisë rinegocioi me kompaninë “Sani Servise” për uljen e kostos së pagesave, duke arritur një zbritje në 25 për qind të çmimit për ndërhyrjet që do të tejkalojnë kufirin e 63,000 rasteve në vit.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit