Një 38-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet se goditi me grusht një 55-vjeçari dhe e shtyu nga shkallët e një lokali.
Ngjarja ka ndodhur në Gjirokastër në lagjen “18-shtatori”, për shkak të një konflikti për motive të dobëta ndërmjet tyre.
Si pasojë e dëmtimeve të marra, 55 vjeçari me iniciale G. H., u dërgua në spitalin e Traumës ku ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i policisë:
Dëmtoi rëndë një 55-vjeçar, pasi e goditi me grusht dhe e shtyu nga shkallët e një lokali, si rezultat i mbërritjes së menjëhershme të Policisë, në vendngjarje, arrestohet në flagrancë autori.
Pasi janë njoftuar se një shtetas kishte dhunuar fizikisht një shtetas tjetër, për motive të dobëta, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, ku kanë kapur në flagrancë dhe kanë vënë në pranga shtetasin L. M., 38 vjeç, banues në fshatin Suhë.
Për shkak të një konflikti për motive të dobëta ndërmjet tyre, 38-vjeçari ka goditur me grusht dhe ka shtyrë nga shkallët e një lokali, në lagjen “18-shtatori”, shtetasin G. H., 55 vjeç, banues në Gjirokastër, i cili për shkak të dëmtimeve të marra, është në kujdesin e mjekëve, në Spitalin e Traumës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. /btvnews.al