Një ditë pas arrestimit, sot kanë dalë para gjykatës ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët u vunë në pranga për koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro.
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar SPAK arrestoi dje nën akuzat e shpërdorimit të detyrës, falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe mashtrim ish zëvendësministrin e shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, lidhur me koncesionin e sterilizimit afro 100 milionë dollarë të 8 vjetëve më parë.
Prokuroria e Posaçme theksoi në njoftimin publik se po vazhdon hetimet mbi “përgjegjësitë penale të personave të tjerë, të cilët gjatë kësaj procedure kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës”.
Mësohet se gjatë miratimit të arresteve Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar e ka orientuar SPAK-un që të zgjerojë hetimet edhe ndaj ish ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish ministrit të Financave, Shkëlqim Cani si dhe 4 zyrtarëve të tjerë, që kanë patur lidhje, dyshime për shkelje ligjore dhe dijeni për këtë koncension.
SPAK ka marrë dëshmi edhe nga ish ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, me të cilin biznesmeni Rrapaj kishte vendosur kontakte të shpeshta. Hetimet vazhdojnë ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të vihet apo jo nën akuzë edhe zoti Beqaj.
Në të kaluarën ai i ka hedhur poshtë dyshimet për favorizime korruptive në kontrata. Ish ministri i Financave, Shkëlqim Cani, u thirr dje në SPAK për shpjegime mbi çështjen.
Masat e sigurisë
Klodjan Rjepaj- ‘arrest me burg’ i akuzuar për ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Ilir Rrapaj- ‘arrest me burg’ i akuzuar për ‘Mashtrim’
Saimir Kadiu- ‘arrest shtëpie’ i akuzuar për ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
M.S- arrest shtëpie, e akuzuar ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Arben Gjata- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Naile Ajazi- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Genc Byrazeri- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’
Petri Mersini- detyrim paraqitje, i akuzuar ‘Falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’. /btvnews.al