Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcaktoi komisionerët për zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë në Kukës, që do të mbahen më 24 shtator.
Komisioneri Ilirjan Celibashi vendosi në mbledhjen e sotme që Partia Socialiste të ketë katër anëtarë në KZAZ, Partia e Lirisë të përfaqësohet nga dy anëtarë, ndërsa Partia Demokratike të ketë një anëtar.
Për Partinë e Lirisë u vendos që do të propozojë 2 anëtarë të KZAZ-së për zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës. Është ky vendimi i marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i cili e argumentoi këtë me numrin e votave të marra të koalicionit ‘bashkë fitojmë’ në zgjedhjet e 14 majit.
Mirëpo ky vendim u kundërshtua nga Partia Demokratike zyrtare e cila paralajmëroi përmes përfaqësuesit ligjor, Rezart Kthupi se do e ankimojë atë.
Kthupi pretendoi se ligji nuk i jep të drejtë Partisë së Lirisë të ketë dy anëtar:
“Vendimi i sotëm i zotit Celibashit është në vazhdën e vendimeve të 14 majit, vendime të cilat janë për zbatimin e projektit politik të Sali Berishës që të transferojë votat e demokratëve tek partia e Ilir Metës.
Nëse në zgjedhjet e 14 majit kishim një pjesë të transferimit politik ku me votat e demokratëve u zgjodhën kandidatët e Ilir Metës.
Me vendimin e sotëm kemi transferimin ligjor të këtyre votave duke caktuar partinë e lirisë, partinë e opozitës dhe ajo që cakton dhe komisionarët për zgjedhjet lokale. PD do të mbrojë çdo votë të çdo demokrati, qoftë në rrafshin politik, qoftë në rrafshin ligjor”
Por, pavarësisht pretendimeve të tij, Komisionari vijoi procedurën ku pas shortit anëtari i shtatë i KZAZ 11 i takoi socialistëve.
Afati për të sjell propozimet është 21 gushti.