Është paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun që i kanoset, por deri tani nuk është marrë asnjë masë për urën në kufirin administrative mes Matit dhe Rrëshenit.
Siç duket nga pamjet, zgavra e krijuar në anën lindore të urës sa vjen e zgjerohet, pasi të gjithë ujërat e shiut që mblidhen nga lart përfundojnë pikërisht në hyrje të urës, duke i dëmtuar kështu asfaltin dhe dheun poshtë tij.
Për shkak të gërryerjes në të dy anët e saj, pjesa e qëndrueshme është zvogëluar, por nuk ka asnjë siguri për mjetet e tonazhit të rëndë që zgjedhin këtë aks rrugor për të qarkulluar drejt Rrëshenit apo qyteteve të tjera.
Drejtuesit e mjeteve shprehen se nëse nuk ndërhyhet shpejt, hyrja e urës do të shembet e gjitha, duke bërë që të bllokohet komunikimi me Rrëshenin apo fshatrat që ndodhen pranë Urakës.
Ekspertët shprehen se sa më shumë të vonojë ndërhyja, aq më e lartë do të jetë kostoja rehabilituese, ndaj ju bëjnë apel institucioneve të veprojnë sa më shprejt.
Kjo urë është pjesë e segmentit rrugor Rrëshen – Urakë i inauguruar në vitin 2011, për të cilin janë shpenzuar qindra miliona lekë nga taksapaguesit shqiptar. /btvnews.al