Qytetarët e Peshkopisë që duhej të kishin 24 orë ujë, sot po vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Në Tetor të vitit të kaluar, ishte vetë kryeministri Edi Rama sëbashku me kryebashkiakun e Dibrës, Rahim Spahiu që inspektuan punimet në ujësjellësin që ka kushtuar afro 7 milion euro.
Në deklaratën e tij, Rama tha se, më në fund 36 mijë banorë të Dibrës do të kenë ujë 24 orë.Ndonëse zona e dibrës është plot me burime ujore për shkak se rrethohet nga malet, qytetarët e Peshkopisë po përballen me mungesë të ujit të pijshëm gjatë këtyre ditëve të nxehta gushti.
Vetë qytetarët shprehen se të paktën në dy javët e fundit, uji i pijshëm shkon nga 20 minuta maksimumi një orë në ditë. Qytetarët thonë se kjo situatë nuk ka ndodhur ndonjëherë, ndërsa me investimin e ri që i është bërë ujësjellësit, duhej që të kishin ujë 24 orë. Ata tregojnë se po përballen me mungesë të ujit për konsum dhe se duhet të presin deri në 48 orë që të mbushin ujë për ta patur për pirje në banesat e tyre.
Të pyetur në lidhje me këtë situatë, drejtues të ujësjellës – kanalizimeve Dibër dhe përfaqësues të Bashkisë, thanë se shkak i ardhjes së ujit vetëm pak kohë gjatë 24 orëve është bërë rënia e prurjeve në burimin nga ku furnizohet ujësjellësi i qytetit. /btvnews.al