Qeveria e Danimarkës bëri të ditur më 25 gusht se planifikon ta ndalojë djegien e Kuranit pasi një varg incidentesh të djegies të librit të shenjtë të mysalimanve shkaktuan zemërim në mesin e vendeve myslimane.
Danimarka do ta miratojë një projektligj që do ta “ndalojë trajtimin e papërshtatshëm të objekteve me rëndësi të madhe fetare për një komunitet fetar”, u tha gazetarëve ministri danez i Drejtësisë, Peter Hummelgaard.
Ai tha se legjislacioni synonte veçanërisht djegiet dhe përdhosjet në hapësira publike.
Hummelgaard tha se djegia e Kuranit është një “akt thellësisht përçmues dhe jodashamirës” që “dëmton Danimarkën dhe interesat e saj”.
Legjislacioni i ri do të përfshihet në kapitullin e 12-të të Kodit Penal të Danimarkës, që përfshin edhe sigurinë kombëtare.
Hummelgaard tha se siguria kombëtare ishte “motivimi” kryesor që shtyu qeverinë daneze drejt përgatitjes së këtij projektligji.
“Ne nuk mund të vazhdojmë të qëndrojmë me krahë të kryqëzuar ndërkohë që disa individë bëjnë gjithçka që munden për të provokuar reagime të dhunshme”, tha ai.
Legjislacioni do të zbatohet edhe për përdhosjet e Biblës, Torës ose, për shembull, kryqit.
Ata që shkelin ligjin rrezikojnë të dënohet me gjobë dhe deri në dy vjet burgim.
Aktivistët kundër islamit kanë djegur apo përdhosur disa kopje të librit të shenjtë të myslimanëve në muajt e fundit, duke nxitur zemërim në botën myslimane dhe kërkesa ndaj qeverive nordike – Danimarkës dhe Suedisë – për t’i ndaluar veprimet e tilla.
Turqia i ka dënuar vazhdimisht protestat e tilla në muajt e fundit, përfshirë ato në Suedi, vendin i cili po e pret dritën jeshile nga Ankaraja për t’iu bashkuar NATO-s.
Qeveritë e Danimarkës dhe Suedisë i kanë dënuar djegiet e Kuranit dhe kanë thënë se janë duke shqyrtuar ligje të reja që do t’i ndalonin këto akte.
Mirëpo, kritikët e brendshëm kanë thënë se liria e shprehjes është e mbrojtur me kushtetutë dhe se çfarëdo vendimi për ndryshim mund ta rrezikojë këtë të drejtë.
Të paktën tri herë gjatë muajit të kaluar, djegia e Kuranit është kryer nga Salwan Momika, refugjat irakian në Suedi, i cili ka thënë se dëshiron të protestojë kundër gjithë islamit dhe librit të shenjtë.
Teksa ai ka qenë duke protestuar, një grup aktivistësh të së djathtës ekstreme, i quajtur “Patriotët Danezë”, ka organizuar protesta kundër islamit në Danimarkën fqinje, duke thënë se dëshiron të dalë kundër atij që e konsideron “islamizim” të shoqërive nordike.