E diel, 24 Nëntor, 2024

Njihuni me Elisabeth, ka dhuruar mbi 1599 litra qumësht nga gjiri i saj

8 vjet më parë, Elisabeth Anderson Sierra solli në jetë fëmijën e saj të parë. Ishte ky momenti kur ajo zbuloi se vuante nga një sindromë e rrallë e mbiprodhimit të qumështit të gjirit. Kjo shpjegonin mjekët, për shkak të një mosbalance në hormonin prolaktinë.

“Gjiri im vetëm prodhon qumësht, nëse nuk përdor pompën kam shumë dhimbje dhe enjtje”, thotë ajo teksa flet në një intervistë të gjatë për “People”.

Elisabeth tashmë është nënë e 3 fëmijëve dhe më e bukura pavarësisht ‘sfidës shëndetësore’ që ajo ka, është se ka dhuruar deri më sot plot 1599,68 litra qumësht për bebe të tjera.

Në rutinën e Elisabeth një kohë të gjatë merr dhe pompimi i qumështit të gjirit të saj, pasi siç thekson ajo është proces që e kryen 8 deri 10 herë në ditë, pa marrë parasysh më pas sterilizimin e tij.

Megjithatë, pompimi i qumështit jo vetëm që do kohë, por ka dhe kosto. Ajo ka blerë dhjetëra pompa, sytjena të panumërta e madje një frigorifer të posaçëm ku e ruan të gjithë qumështin që prodhon.

Fillimisht ajo nisi ta dhurojë qumështin në një maternitet në zonën ku jeton, e më pas u zgjerua dhe në qytete të tjera, për të gjitha nënat që kanë nevojë.

Pas shumë vizitave te mjekët, ajo ka arritur në përfundimin se e vetmja zgjidhje, për të hequr qafe sindromën, është mastektomia e dyfishtë, për të hequr plotësisht gjëndrat e qumështit.

Kjo gjë e tremb Elisabeth, por megjithatë nuk përjashton shanset se mund ta bëjë shumë shpejt.

“Askush nuk e meriton ta ketë këtë sindromë. Ka shumë nëna që e vuajnë faktin se nuk kanë shumë qumësht, ndërkohë unë vuaj nga kjo gjë. Mos e humbni kurrë dashurinë për veten, secila prej nesh është unike”, thotë ajo.

Për dhurimin e qumështit, ajo madje ka thyer Rekordin Botëror Guinness.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit