E diel, 24 Nëntor, 2024

Luftë dronesh mes Rusisë dhe Ukrainës

Kievi sulmon Moskën në 7 rajone, Rusia shkatërron 7 anije ushtarake në Detin e Zi

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur nga sulmet raketore ruse në Kiev.

Sipas kryebashkiakut Vitali Klitschko trupat e dy personave u gjetën në një ndërtesë të pabanuar, ndërsa një person tjetër u lëndua nga copëzat e xhamave të thyer si pasojë e shpërthimit.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi të gjitha 28 raketat ruse dhe 15 nga 16 dronët e lëshuar gjatë natës. Autoritetet në Kiev bënë me dije se disa ndërtesa u dëmtuan nga mbeturinat, ndërsa zyrtarët në rajonin e Kievit thonë se 6 shtëpi private u dëmtuan dhe disa njerëz u plagosën.

Rusia thotë gjithashtu se ka shkatërruar katër anije të shpejta ushtarake ukrainase në Detin e Zi.

Por sulme me dron nuk ka patur vetëm nga Rusia. Moska flet për sulme të koordinuara në të paktën 6 rajone në perëndim të vendit. Si pasojë, Aeroportet Domodedovo, Vnukovo dhe Sheremetyevo të Moskës u mbyllën përkohësisht.

Aeroporti Pskov, jo shumë larg kufirit me Estoninë, u mbyll gjithashtu. Sulmet në Rusi besohet të jenë më të mëdhatë në tokën ruse që kur Moska filloi luftën në Ukrainë në Shkurt 2022.

Ukraina, e cila ende nuk ka arritur një sukses të madh në kundërsulmin e verës, ka sulmuar me dronë Rusinë muajt e fundit, duke përfshirë një sulm ndaj Kremlinit në Maj dhe sulme të shumta me dronë ndaj objektivave civilë në Moskë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit