Normat mesatare të interesit për kreditë konsumatore në tregun financiar pësuan rënie të mëtejshme në gjysmën e parë të këtij viti. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se rënia e normave të interesit ka vijuar, pavarësisht rritjeve të normës bazë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, norma mesatare efektive e interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë zbriti në 78.38%, nga 89.22%, që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm dhe nga 102.44% që kishte qenë për gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Ndërsa, për paradhëniet bankare (overdraftet) deri në 200 mijë lekë norma efektive mesatare shënoi një rritje në 14.21%, nga 13.62% që kishte qenë në gjashtëmujorine mëparshëm dhe 13.7% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Edhe për kartat e kreditit me limit deri në 200 mijë lekë, interesi mesatar u rrit në 21.17%, nga 20.38% që kishte qenë në gjashtëmujorin e mëparshëm dhe nga 20.69% që kishte qenë në gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.
Për kreditë me këste me vlerë deri në 600 mijë lekë, norma mesatare efektive e interesit ka rezultuar 24.57%, ndërsa për ato deri në 2 milionë lekë ky tregues ishte 12.95%.
Për këto fasha të kredive, baza krahasuese nuk është e disponueshme, sepse deri në fund të vitit të kaluar Banka e Shqipërisë i raportonte me një fashë të vetme (200 001- 2 milionë lekëve).
Normat e mësipërme të interesit janë llogaritur mbi të gjitha kreditë konsumatore në dhëna në gjysmën e parë të vitit 2023 nga bankat dhe institucionet financiare jobanka, bazuara në të dhënat faktike që pasqyrohen në Regjistrin e Kredive që administrohet nga banka qendrore. Llogaritja e normës mesatare efektive të interesit shërben si bazë për të llogaritur më tej normën maksimale efektive të interesit për kreditë konsumatore (NEI maksimal)
Norma mesatare efektive e interesit nuk nënkupton vetëm normën nominale të interesit të kredië, por të gjitha kostot që i ngarkohen klientit për kredinë, duke përfshirë edhe komisionet apo tarifat e tjera. Rënia e normave efektive të interesit në një kohë kur normat nominale në tregje janë rritur mund të shpjegohet me disa faktorë. Në kreditë konsumatore, sidomos për shumat më të vogla, marzhet janë relativisht të larta dhe institucionet e kredidhënies kanë pasur hapësira për të konkurruar me çmime, pavarësisht se kosto e sigurimit të fondeve ka filluar të rritet.
Aplikimi i një norme maksimale efektive të interesit nga Banka e Shqipërisë duket se ka shërbyer si faktor që i ka zhvendosur në ulje interesat mesatare të kredive. Që prej fillimit të vitit 2022, kur nisi aplikimi i normës tavan të interesit, ky tregues ka lëvizur vazhdimisht në rënie për kreditë e vogla me këste deri në 200 mijë lekë.
Sipas ndryshimeve të përkohshme rregullatore që u miratuan në muajin mars, përditësimi i normës maksimale efektive të interesit për kreditë deri në 200 mijë lekë dhe për ato nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë është pezulluar. Kjo nënkupton se NEI maksimal për këto kredi do të qëndrojë për një vit në nivelet e vendosur që në fillim të 2023, përkatësisht 118.96% për kreditë deri në 200 mijë lekë dhe 47.07% për fashën nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë./monitor