E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Zbardhen ndryshimet në statutin e PD, Basha kryetar i grupit parlamentar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të jetë edhe kreu i grupit parlamentar kur kjo parti të jetë në opozitë.

Ky është një nga vendimet që pritet të merret sot në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ku pritet të miratohet statuti i ri. Në këtë statut përcaktohet se kryetari mund të zgjedhë dhe nënkryetarin.

Më këto ndryshime, Lulzim Basha do të jetë edhe kryetari i Grupit parlamentar, post që e mbante Gazment Bardhi.

Në nenin 48, parashikohet dhe mundësia e delegimit të këtij posti, por gjithmonë me pëlqimin e kryetarit të Partisë Demokratike. Kujtojmë se sot mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD-së, ku do të merren disa vendime me rëndësi.

NENI 48

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË

1) Grupi Parlamentar i PDSH-së përbëhet nga deputetët e saj në Kuvendin e Shqipërisë.

2) Kur PDSH është shumicë qeverisëse, Kryetari i Grupit Parlamentar zgjidhet me propozim të Kryetarit të Partisë nga Këshilli Kombëtar, me votim të fshehtë, ndërmjet jo më pak se dy kandidaturave.

3) Kur PDSH nuk është shumicë qeverisëse, Kryetari i Partisë është edhe Kryetar i Grupit Parlamentar. Kryetari i Partisë, me autorizim të tij, mund të caktojë një prej Nënkryetarëve të Partisë për të drejtuar Grupin Parlamentar.

4) Grupi Parlamentar i PDSH-së: a) përfaqëson në Parlament PDSH-në dhe siguron aty mbrojtjen e platformës, programit dhe interesave të PDSH-së;

b) harton programin dhe përcakton mënyrën e veprimit e të angazhimit të deputetëve të tij në Parlament dhe në zonat elektorale përkatëse;

c) Rregullorja e funksionimit dhe përfaqësimi institucional i Grupit Parlamentar, miratohet me vendim të Kryesisë së Partisë. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit