Rruga nga Ura e Çerenecit – Shupenzë – Maqellarë, vijon të jetë problematike për banorët e zonës dhe drejtuesit e mjeteve që përdorin këtë aks rrugor.
Problematike situata paraqitet në afërsi të Urës së Topojanit, ku gropat janë kudo, duke rrezikuar rënien në lumin drin.
Banorët shprehen se ndërhyrjet në të kanë qenë qesharake, pasi asfalti në gropat hidhet si të ishte rrugë fshati, me lopatë.
Ata kërkojnë që ndërhyrja në përmirësimin e kësaj rruge të jetë siç e kanë standartet dhe jo sa për të kaluar radhën.
Sipas banorëve, përsa kohë paguhen taksat e qarkullimit të automjeteve, shteti duhet të kërkojë më shumë llogari kompanive që ju ka dhënë mirëmbajtjen e rrugëve në të gjithë vendin, por sidomos në Qarkun Dibër.
Aksi rrugor Ura e Çerenecit – Shupenzë – Maqellarë është pjesë e rrugës nacionale Skuraj – Peshkopi, e cila ka një kontratë mirëmbajtjeje me Autoritetin Rrugor Shqiptar. /btvnews.al