E hënë, 25 Nëntor, 2024

Bashkëjetuesi torturonte 33-vjeçaren me pretendimin se i kishin bërë magji, Balla: Duhen ndëshkime të ashpra për çrrënjosjen e dhunës në familje

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të dhunës së ushtruar ndaj një 33-vjeçareje në Mat, e cila ka përfunduar në spitalin psikiatrik në Tiranë.

Balla është shprehur se duhen ndëshkime të ashpra për çrrënjosjen e dhunës në familje, ku gratë bien viktimë e barbarisë së burrave.

Ministri thekson se “denoncimi për ndihmë tek Policia e Shtetit është hapi i duhur jetik, për çlirimin nga makthi përpara se sa të jetë shumë vonë dhe për fitoren mbi padrejtësinë ekstreme të dhunës”.

“Rasti i dhunës barbare ndaj një gruaje në Mat, i zbuluar nga Policia e Shtetit pas një pune hetimore që meriton përgëzime, kërkon që edhe Prokuroria dhe Gjykata të ngrihen në nivelin e pritshmërisë shoqërore të një vendi evropian. Na duhen ndëshkime të ashpra për goditjen e fortë deri në çrrënjosje të dhunës në familje, ku gratë bien viktimë e barbarisë së burrave.

Dua ta garantoj çdo grua, çdo vajzë se telefonata apo denoncimi i saj për ndihmë tek Policia e Shtetit është hapi i duhur jetik, për çlirimin nga makthi përpara se sa të jetë shumë vonë dhe për fitoren mbi padrejtësinë ekstreme të dhunës”, shprehet ministri Balla.

Kujtojmë se 48-vjeçari për të justifikuar dhunën ndaj bashkëjetueses, kishte paguar një kosovar, për ta shëruar dhe në pamjet e publikuara ai e godiste me kaçavidë. 33-vjeçarja, e cila banonte në Mat, si pasojë e dhunës është dërguar nga familjarët e saj për trajtim mjekësor dhe në spitalin psikiatrik Tiranë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit