Sali Berisha u shpreh në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike se duhet që të bashkërendojnë “përpjekjet ndaj një regjimit të Ramës”, që sipas tij, nuk njeh as ligj e as moral.
Berisha ftoi deputetët e pranishëm që të marrim pjesë në prezantimin e raportit për zgjedhjet vendore të 14 Majit që do të zhvillohet të mërkurën (6 shtator).
Sali Berisha: Së pari, dua të falënderoj përzemërsisht zotin Bardhi dhe të gjithë ata të cilët mendoj se në një moment shumë të rëndësishëm të jetës politike, u angazhuan për thirrjen dhe mbajtjen e këtij takimi të shumëpritur nga populli i përçmuar opozitar.
Tu falënderoj të gjithë ju që jeni sot këtu dhe shpreh bindjen se, në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, misioni i opozitës shqiptare është më i vështiri që ai ka pasur në 32 vite, por njëkohësisht ështe edhe më vendimtari.
Ne ulemi këtu me mandat deputeti dhe jemi kaq dhe të tjerë që nuk janë këtu, por në fund të fundit, nuk duhet të harrojmë kurrë se mandat tona janë marrë në një terren në të cilin qeveria ka diktuar më të gjitha mënyrat, vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Ka krijuar një reaksion fatal në të cilin krimi shndërrohet në vota dhe vota në krim.
Ky reaksion është shndërruar në një faktor pothuajse përcaktues të spastrimit etnik të Shqipërisë sa kurrë ndonjëherë në historinë e saj. Nga ky rreth vicioz nuk ka asnjë mekanizëm tjetër dalje përveç se përgjegjësive të opozitës.
Në rast se e sheh dhe analizon këtë rreth vicioz padiskutim që ka vend për fatalitet, por opozita nuk është ajo që mund të pranojë kurrë të bjerë në fatalitet, por është ajo që ka detyrën, ka misionin ligjor dhe moral të japë zgjidhje, të krijojë shpresën dhe të ngjallë shpresën. Dhe unë mendoj se ky takim i ynë sot është mesazhi më i duhur që ne u dërgojmë mbi 600 mijë qytetarëve që në kushtet më të pabarabarta në 32 vite, qëndruan si idealist dhe votuan opozitën në farsën elektorale të 14 majit.
Nuk është një mision i lehtë, është një mision shumë i vështirë. Është një mision i vështirë sepse Edi Rama ka krijuar mekanizmat kriminale të grabitjes së mandateve dhe është në bindjen time me të thellë se vetëm protestat e qëndrueshme popullore mund ti japë vendin atij. Por kjo nuk mund të jetë armë e vetme e opozitës.
Opozita në vlerësimin tim, ka dhe duhet të shfrytëzojë çdo hapësirë.
Në radhë të parë në parlament, i cili drejtohet në mënyrën më staliniste që është drejtuar në 32 vite. Por megjithatë ne duhet të bëjmë gjithçka për një bashkërendim dhe për të shfrytëzuar çdo hapësirë për të nxjerrë në shesh të vërtetën e këtij regjimi.
Zonja dhe zotërinj deputetë! Para 1 muaji është arrestuar Pëllumb Gjoka. Unë ju garantoj ju se shumëfishi i tij është Edi Rama, me të gjitha lidhjet e tij dhe dokumentet. Jo vetëm që po jepte atë licencën me 5 yje për të marrë kazinonë, por edhe për një seri arsyesh të tjera. E them këtë për ta ditur qytetarët se me çfarë përballet ai dhe përfaqësuesi i tij.
Por përsëri aktiviteti eficent i yni, si deputetë të opozitës ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Një komision parlamentar hetimor u krijua për djegësat. Shënoi një kthesë. Nuk mund ta mohojmë. Duhet ta pranojmë se shënoi një kthesë sepse është e zakonshme të thuhet se këto komisione nuk kanë sjellë gjë. Jo nuk është ashtu.
Ai komision, po flas për atë, por edhe të tjera mund të ketë, ai shënoi një kthesë në qëndrimin tërësor ndaj vjedhjes më të madhe të realizuar. Sigurisht Edi Rama po i mbron balozët kryesorë, por ama ata tani janë të zhveshur para shqiptarëve.
Ju ftoj, sipas kohës së lirë që keni, nesër në një paraqitje që do i bëjmë raportit për farsën elektorale të 14 Majit. Është bërë një punë e çmuar. Ky i vjedh zgjedhjet, dhe zgjedhjet e vjedhura nuk janë fitore.
Ju garantoj se jemi shumë të vendosur, ky është një takim i deputetëve të dalë nga lista e PD-së në zgjedhjet 2021, bashkërendimi me forcat të tjera opozitare, si Partia e Lirisë, të kemi front të gjerë dhe eficent, të bashkërendojmë përpjekjet ndaj një regjimi që nuk ka as ligj as normë e as moral.