Për herë të parë pas 3 vitesh në qelinë e burgut të Hagës ka thyer heshtjen ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në një intervistë për “Gazeta Nacionale”, Thaçi thotë se nuk i mungon zyra e Presidentit apo e Kryeministrit, por familja po.
“Po, më ka marrë malli për prindërit, të cilët kanë hyrë në fazën e moshës së thyer, edhe pse flas shpesh përmes telefonit. Ardhja e tyre vitin e kaluar këtu në vizitë ishte një emocion i veçantë dhe i paharrueshëm”.
Megjithatë duket se kriza e fundit që po kalon Kosova për shkak të situatës në veri nuk e ka lënë indiferent.
“Çdo krizë e vonon shumë Kosovën, por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, por edhe në afirmimin e saj ndërkombëtar. Përkrahja ndërkombëtare nuk duhet të merren si e mirëqenë. Atë gjithmonë duhet merituar. Kosova çdo ditë duhet të vazhdojë të prodhojë argumente që e lehtësojnë mbështetjen e miqve ndërkombëtarë”.
I pyetur për raportet me kryeministrin shqiptar Edi Rama thotë se vizita e tij në Hagë e ka impresionuar.
“Vizita e Edit ndodhi në vend dhe rrethana të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, përtej politikës dhe procesit gjyqësor, bisedë krejt vëllazërore. Më kishte marrë malli. Edi lufton dhe zakonisht fiton në kauzën që beson, është impresionuese se si ai po vazhdon të ndërtojë dhe afirmojë Shqipërinë evropiane”.
I bindur shprehet se drejtësia do të fitojë.
“Ne besojmë në drejtësi, në të vërtetën dhe transparencën. Qytetarët e Kosovës janë të etur të shohin dhe të dëgjojnë të vërtetën. Jo të cunguar, apo të njëanshme”.
I pyetur për luftën e Kosovës, Thaçi thotë se tashmë duhet parë nag e ardhmja.
“Ne nuk e filluam luftën, dhe as s’e deshëm atë, populli i Kosovës i rezistoi agresorit. Nuk bëmë as më pak as më shumë se sa atë që duhej bërë, siç kanë bërë dhe bëjnë sot edhe shumë kombe bartëse të civilizimit botëror. Ne fituam. Tash duhet ta forcojmë paqen.”
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi po përballen me akuza të renda në Gjyaktën Speciale për krime të kryera gjatë luftës, të cilat ata i kanë mohuar me forcë.