E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Betohen para Presidentit Begaj 5 ministrat e rinj të qeverisë Rama

Pasi Kuvendi miratoi të hënën dekretet e Presidentit Bajram Begaj, 5 nga 7 ministrat e rinj të qeverisë Rama janë betuar ditën e sotme në Presidencë.

Këtë të martë mori detyrën si ministër i Jashtëm, Igli Hasani; si ministre Arsimi, Ogerta Manastirliu; si ministre Shëndetësie, Albana Koçiu; si ministre Bujqësie, Anila Denaj dhe si ministër për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku.

Kujtojmë që Ervin Mete do të betohet në Presidencë si ministër i Financave dhe Ekonomisë pasi dekreti për të, të miratohet në Kuvend. Mete ka qenë drejtor ekzekutiv i AMF-së. Për këtë arsye, ditën e djeshme në seancë plenare u votua shkarkimi i tij nga ky post.

Tashmë kjo i jep Kuvendit mundësinë që ta votojë për postin e ministrit. Pas kësaj, Mete mund të paraqitet para Presidentit për t’u betuar e më pas për të marrë detyrën.

Në Asamblenë e PS-së më 4 Shtator kryeministri Edi Rama bëri disa ndryshime në qeverinë e tij duke emëruar dhe shkarkuar ministrat e rinj. Ministrat e shkarkuar janë Olta Xhaçka, Evis Kushi, Frida Krifca, Edona Bilali dhe Milva Ekonomi.

Kujtojmë gjithashtu që Rama largoi nga posti i ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimajn. Megjithatë ai e vendosi atë si ministre Shteti për Sipërmarrjen. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit