Një efektiv policie pranë Komisariatit të Policisë Mirditë, i cili sapo kishte lënë shërbimin dhe po kthehej në banesë, ka humbur jetën në një aksident tragjik.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:20 në aksin rrugor Rrëshen-Rubik dhe në aksident janë përfshirë 2 makina.
Policia njofton se automjeti tip “Chevrolet” me drejtues shtetasin malazez me iniciale M.F. është përplasur me makinën tip “Benz” që drejtohej nga punonjësi i policisë Gëzim Lazri, 56 vjeç.
Drejtuesi i “Chevrolet” ndodhet në spital për ndihmë mjekësore.
Paraprakisht, dyshohet se shkaku i aksidentit rrugor ka qenë parakalimi i gabuar në shkelje të rregullave të qarkullimit i automjetit tip “Chevrolet” që drejtohej nga malazezi.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe nën drejtimin e Prokurorit, vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit