Ambasada e SHBA në një reagim për News24 dhe BalkanWeb lidhur me përplasjet në PD për kreun e grupit parlamentar të PD, shprehet se besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme.
Më tej Ambasada shprehet se nuk është roli i saj që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri, por shton se nuk kanë ndryshuar pozicionin në lidhje me individë të shpallur non-grata në Shqipëri, ndërsa thekson se nxisin të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla.
Reagimi i plotë:
Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacion kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi. Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri. Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla. /btvnews.al