Një rast i sëmundjes së rëndë që prek kryesisht kafshët ripërtypëse është shfaqur në një fshat të Klosit në Mat.
Burime bëjnë me dije se një gjedhë (lopë) ka ngodhur një javë më parë në këtë fshat. Pas analizave të bëra nga specialistët e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Bimëve ka rezultuar që lopa ishte e prekur nga sëmundja e plasjes e cila është një sëmundje bakteriale e shkaktuar nga Bacillus anthracis.
Nuk dihet nëse ka raste të tjera të kësaj sëmundjeje, ndërsa pritet që autoritetet të nisin një fushatë me banorët e zonës.Të kontaktuar nga ana jonë drejtues të drejtorisë së Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Bimëve në Qarkun Dibër, thanë se më herët është kryer vaksinimi i gjedhëve apo të bagëtisë së imtë për sëmundjen e antraksit ndërsa rastin e fundit e konsiderojnë si rast të izoluar.
Sëmundja e plasjes është e rrezikshme edhe për njerëzit pasi ajo mund të transmetohet në shumë forma, nga kontakti me kafshën e infektuar deri tek insektet.Kjo sëmundje ka disa vatra në vendin tonë, që megjithë izolimin rikthehen herë pas here raste sporadike./btvnews.al