E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Shqiptari i dënuar për vrasjen e të fortit të Vlorës arratiset nga burgu! Detajet e një ikjeje spektakolare

Roland Dedja rikthehet sërish në vëmendjen e kronikës së zezë të mediave italaine ndërkohë që ka realizuar arratisjen e bujshme nga burgu i Teramos.

Shqiptari i akuzuar për vrasjen e të fortit të Vlorës, më pas për arratisjen e bujshme të kryer 13 vjet më parë nga burgu i Pizas, për një tjetër grabitje në kohën që ishte në arrati, ka mundur të largohet nga muri rrethues duke u hedhur në tokë dhe duke u larguar në drejtim të paditur. Policia italiane prej orësh është në kërkim të tij, ndërkohë që mediat vendase i kanë bërë jehonë lajmit të ikjes së tij nga burgu ku vuante dënimin për një sërë akuzash. Në fakt Dedja asnjëherë nuk arriti ta pranonte vrasjen e vlonjatit Shpëtim Çupa, ku madje edhe gjykata vendase aso kohe nuk u pajtua me kërkesën e Prokurorisë, e cila ia faturonte Dedjas vrasjen e shqiptarit në parkimin e një lokali. Sipas të dhënave, dyshohet se atë jashtë rrethimit të burgut e ka pritur një automjet me të cilin është larguar.

Dje u bë me dije se 40- vjeçari shqiptar, Roland Dedja, ishte arratisur nga burgu i Teramos në Abruzzo të Italisë. Akti i tij tërhoqi vëmendjen e mediave vendase. Sipas mediave të italiane, me litarin e një alpinisti ai arrin të ngjitet mbi murin rrethues dhe është arratisur. Shqiptari në kërkim tashmë, po kryente dënimin e tij për krime droge dhe grabitje. Megjithatë vendimi përfundimtar nga gjykata ende nuk kishte ardhur për të. Sa i përket skenarit të arratisjes, i burgosuri ulet në mënyrë tërthore me një litar alpin të fiksuar në shufrat e hekurta. Thuhet se ai mund të ketë patur ndihmën e një bashkëpunëtori si dhe një droni për dërgimin e mjeteve të dobishme për t’ia mbathur. Në përshkrimin e tyre, mediat italiane e krahasojnë me një skenar filmi. “Për momentin, regjistrimet e të gjitha kamerave në burg po ekzaminohen për të kuptuar dinamikën e saktë të arratisjes”, raporton Gino Ciampa nga policia e burgut

“Ndihma e një droni dyshohet për dorëzimin e mjeteve të dobishme me të cilat i burgosuri shqiptar ka kryer arratisjen gjatë natës nga burgu i Teramos. Zbulimi i arratisjes u bë vetëm mëngjesin e sotëm”, saktëson Gino Ciampa. Kjo nuk është arratisja parë që 40-vjeçari ka kryer, pasi edhe në vitin 2010 është arratisur nga burgu i Pisas, së bashku me një tjetër shqiptar. Gjithashtu, ai akuzohet dhe për një grabitje, të ndodhur pasi u arratis nga burgu në vitin 2010.

Policia italiane publikoi të dhënat në lidhje me faktet që kishte për vrasjen e emigrantit shqiptar Shpëtim Çupa, 44 vjeç, në një parking lokali në fundshkurtin e vitit 2010. Aso kohe u tha se viktima, që është qëlluar me një armë të kalibrit 7,65 mm në sheshin “Kopakabana” (Copacabana), rezulton të ketë një dosje me precedentë kriminalë në Itali. Policia hetoi precedentët penalë të viktimës me qëllimin për të identifikuar vrasësin e 44-vjeçarit pas dyshimeve se ekzekutimi duhej të ishte një hakmarrje, në mos një larje hesapesh që lidhej me aktivitete kriminale.

Sipas policisë, Shpëtim Çupa rezultonte të kishte qenë i dënuar me 1 vit e gjysmë burg në vitet ‘96-‘99 për shfrytëzim prostitucioni. Emri i Shpëtim Çupës rezultonte, gjithnjë sipas policisë italiane, edhe në hetimin që po zhvillohej për vrasjen e shtetases shqiptare Violeta Halla, 19 vjeçe, e vrarë në prill të vitit 1996. Viktima e vrasjes në Breshia hetohej gjithashtu edhe për gjymtimin e shtetases S. Eufemia, këmba e majtë e së cilës ishte gjetur larg trupit të viktimës. Hetuesit e policisë kanë shoqëruar aso kohe edhe pronarin e një makine “Volksëagen Golf”, i cili ishte parkuar natën e krimit pranë makinës së Shpëtim Çupës, “BMW X5”, por ai ka rezultuar se nuk ka lidhje me krimin dhe ndaj ishte lënë i lirë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit