Mijëra banorë të njësive administrative Ostren e Trebisht në Bashkinë Bulqizës, prej vitit 2011 janë në pritje të asfaltimit të rrugës nga Ura e Çerenecit deri në kufi me Librazhdin.
Por edhe pse ka kaluar më shumë se një dekadë, kjo rrugë nuk u asfaltua kurrë, ndonëse është përdorur në disa fushata elektorale, majtas e djathtas si një premtim që do të realizohej. Kjo është gjendja e rrugës në këto ditë.
Jo vetëm që nuk është shtruar asnjë pëllëmbë asfalt, por përkundrazi në të janë hapur kanale e gropa të mëdha pas vërshimit të ujit gjatë ditëve me shi. Rruga është bërë thuajse e pakalueshme për shumë lloje automjetesh.
Banorët që e përdorin këtë aks rrugor shprehen se askush në këto vite nuk ka menduar për ta pasi nuk u arrit të asfaltohej, duke bërë që të gjitha premtimet e bëra të ishin vetëm fjalë e asnjë vepër konkrete në terren.
Asfaltimi i kësaj rruge ka nisur në anën e Librazhdit, por edhe pse kanë kaluar më shumë se 7 vite, asfalti nuk ka ardhur në territorin e Bulqizës. /btvnews.al