Kabina elektrike në fshatin Vojnik të Maqellarës vijon të jetë e hapur dhe një rrezik potencial për banorët e zonës. Ndonëse ky problem është prej vitesh, deri tani nuk është marrë asnjë masë.
Siç duket edhe nga pamjet, dera kryesore e kësaj gabine brenda së cilës ndodhet transformatori me rrymë elektrike është e hapur dhe në të mund të hyjë lirisht kushdo që nga fëmijët, të rriturit e deri tek kafshët.
Banorët e Vojnikes kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse duke e argumentuar gjendjen e kabinës si të rrezikshme, sidomos për fëmijët e shkollës që kalojnë aty pranë çdo ditë.
Më herët banorët kanë deklaruar se në disa raste brenda kabinës janë futur bagëti të cilat kanë ngordhur si rezultat i kontaktit me rrymën elektrike.
Pak ditë më parë, policia e Dibrës nisi hetimet për punonjës të OSHEE-së të cilët sipas policisë nuk kanë marrë masa në raste të ngjashme si ky i Vojnikut, duke ja faturuar fajin elektriçistëve dhe jo institucionit. /btvnews.al