E hënë, 25 Nëntor, 2024

Si u ekzekutua duke pirë kafe në lokalin e tij Martin Bardhi? Saga e përgjakshme e hakmarrjes

Saga e përgjakshme e hakmarrjes në Mirditë nuk ka të ndaluar! Ditën e djeshme (26 shtator), në orët e paradites, një tjetër sulm brutal me armë, i merr jetën një personi dhe plagosen edhe tre të tjerë.

Prita ishte zënë në afërsi të bar-restorantit, pronë e viktimës, i cili në momentin që është gjuajtur me breshëri kallashnikovi ka qenë duke pirë kafe. Kupat e përmbysura të kafesë në tavolinë e tij qëndruan për orë me radhë, si një pjesë efikase e një vendngjarjeje që gjendej vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë së rrethit.

Policia mundi të tregonte vetëm se viktima ishte Martin Bardhi, 59 vjeç, i sapo liruar nga paraburgimi ku ai ishte vendosur që në marsin e këtij viti teksa djali i tij u konfliktua “rastësisht” me një djalë të familjes Reçi!

Aso kohe u tha se mes djalit të Bardhit dhe djalit të Reçëve kishte patur sherr për parakalim, ndaj edhe babë e bir kishin qëlluar me armë mbi mjetin e djalit të Reçëve, por për fat ai iu shmang plumbave për shkak të makinës së blinduar.

Policia arrestoi Martin Bardhin, por pa shkuar përtej atij shkaku që u tha publikisht për sherrin mes dy familjeve-fise që kanë ngritur armët prej afër një dekade.

Dje, pas vrasjes, policia tregoi se po bëhen kontrolle nga toka dhe nga ajri, por gjithçka që gjetën ishte makina e vrasësve në flakë, bashkë me kallashnikovët që i morën jetën shënjestrës dhe plagosen tre persona të tjerë.

Po ashtu, Policia, shkoi në familjen e djalit të Reçëve, që ishte konfliktuar për “parakalim” me Bardhët, dhe ngaqë nuk u gjend në banesë, u shpall në kërkim, si domosdoshmëri e marrjes së një dëshmie të tij.

Për aktin e rëndë që tronditi Mirditën foli vetëm kryepolici i Lezhës, i cili tregoi atë që pa në kamerat e lokalit dhe atë çfarë treguan dëshmitarët, ata pak që kanë mundur të kthejnë sytë nga skena horror në mes të ditës, në mes të qytetit dhe në derën e Policisë së Shtetit!

Sipas të dhënave zyrtare të policisë së Lezhës u bë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10.40 minuta të së djeshmes. Martin Bardhi, që dyshohet të ketë qenë edhe shënjestra, ka mbërritur në lokalin e tij që gjendet pak metra larg Komisariatit të Policisë së Rrëshenit.

Ai ka zgjedhur të qëndrojë jashtë ambientit të lokalit dhe është ulur në një tavolinë, ku mësohet se me të janë ulur edhe tre njerëzit e tij, të afërm dhe miq. Bëhet fjalë për Olti Gjinin, Ilir Bardhokun dhe Indrit Bardhin.

Pak çaste më pas është shfaqur një mjet fuoristradë dhe prej saj janë zbrazur armët e zjarrit. Mendohet se kanë gjuajtur me dy armë dhe në mjet kanë qenë tre persona. Ata u larguan duke lënë të vdekur në tavolinë Martin Bardhin dhe duke plagosur edhe tre të tjerët.

Meqë vendi i ngjarjes ndodhej jo vetëm afër Policisë, por edhe afër spitalit, të pranishmit në atë skenë të tmerrshme krimi janë përpjekur tu japin ndihmë të plagosurve por edhe viktimës.

Por, spitali i qytetit nuk kishte kapacitet t‘i mbante të plagosurit aty dhe kërkuan ndihmën e Spitalit Ushtarak pasi për ta duhej ndërhyrje kirurgjikale e specializuar. Të plagosurit u sollën në Tiranë, ndërkohë që pas rreth një ore policia nisi hartimin e planit të ngritjes së pikave të kontrollit.

Madje, u kërkua edhe një helikopter për patrullim nga ajri po asgjë nuk mundi të pikaste përpos makinës së vrasësve në flakë. Policia tha se kishte rrethuar zonën, bllokuar daljet e zonës së Mirditës që e lidh me rrugën e Kombit, por edhe me pjesën tjetër të Lezhës dhe të fshatrave të Mirditës por pa mundur të shquajnë asnjë gjurmë vrasësish.

Policia tha se vrasësit ishin të maskuar ndaj edhe nuk ekziston asnjë mundësi i krijimit të ndonjë identikiti për ta, përveçse mundësisë për të bërë një përshkrim fizik. Ndërkohë që në drejtim të Mirditës, pas vrasjen u nisën edhe FNSH-ja dhe RENEA.

Ata mbështetën policinë në operacione kontrolli dhe kërkimi nëpër disa baza të dyshimta por edhe në një kontroll në banesat e disa personave të dyshuar.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit