E enjte, 7 Nëntor, 2024

“Qëllimi përfundimtar ishte…”, Sveçla për “The Guardian”: Terroristët erdhën nga Serbia, u trajnuan, financuan dhe u pajisën nga ushtria serbe

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka ripërsëritur se personat e grupit të armatosur që kryen sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, kanë lidhje me Serbinë.

Sveçla në një deklaratë për mediumin britanik “The Guardian” tha se ky grup ka qenë i trajnuar dhe financuar nga Serbia.

“Ky grup ka ardhur nga Serbia, ata janë të trajnuar në Serbi, të financuar nga ata dhe gjithashtu të pajisur nga ushtria e Serbisë dhe policia e saj”, tha Sveçla

Ministri shtoi se “një pjesë e armëve janë marrë nga magazinat e ushtrisë dhe janë dorëzuar te terroristët që kanë ardhur në Kosovë nga Serbia”.

Sveçla tha se ministria e tij kishte ndarë provat edhe me ambasadat e huaja dhe agjencitë perëndimore.“Ajo që ata donin të bënin është të kapnin territorin e Kosovës dhe të hapnin një kanal të ri komunikimi, një rrugë të re nga Serbia në Kosovë”, tha ai, duke shtuar se qëllimi përfundimtar ishte ndarja e vendit.

Detaje të reja janë zbuluar tri ditë pasi grupi i armatosur serb, që sipas autoriteteve kosovare përbëhej prej rreth 30 personash, sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku dhe plagosur zyrtarin tjetër policor, Alban Rashiti.

Ministri Sveçla të mërkurën bëri të ditur se është konfirmuar që njëri nga të vrarët në sulmin terrorist në Banjskë është edhe Bojan Mijailoviç, truproja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

Sveçla gjithashu ka publikuar një dokument që është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave.

“Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës. Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit”, shkroi ai të mërkurën në një postim në Facebook. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit