E premte, 22 Nëntor, 2024

Kuqezinjtë kërcënojnë Republikën Çeke

Futbollistët e Kombëtares Shqiptare po kalojnë një moment të mirë me skuadrat respektive në kampionatet jashtë vendit. Myrto Uzuni la pas dëmtimin që pësoi në përballjen me Real Betis dhe u rikthye me gol në barazimin e Granadës në transfertë ndaj Almerias me rezultatin 3-3. Sulmuesi kuqezi e nisi ndeshjen nga stoli dhe u aktivizua në lojë në minutën e 73-të, teksa katër minuta përpara përfundimit të kohës së rregullt u tregua i saktë duke mposhtur portierin kundërshtar.

Qazim Laci gjeti golin e parë në kampionat që prej transferimit të tij në Çeki me Sparta Prague në fitoren 2-1 përballë Viktoria Plzen. Mesfushori kuqezi realizoi në minutën e tretë dhe zhvilloi një paraqitje mjaft të mirë gjatë gjithë ndeshjes. Mesfushori kuqezi Arbnor Muçolli po kalon gjithashtu një formë mjaft të mirë në kampionatin suedez. Mucolli, i cili aktivizohet në radhët e Gotenborg i dhuroi barazimin skuadrës së tij, duke realizuar në minutat shtesë falë një penalltie.

Protagonist në kampionatin turk në javën që lamë pas u shfaq edhe Odise Roshi. 32-vjeçari i cili aktivizohet me Sakaryaspor asistoi në golin e parë, në fitoren e skuadrës së tij me rezultatin 2-0 përballë Eyupspor. Minuta në këmbë kanë pasur edhe legjionarët e tjerë të Kombëtares, duke nisur nga Elhan Kastrati dhe Etrit Berisha në portë, te mbrojtësit Berat Gjimshiti, Frederic Veseli, Elseid Hysaj dhe Ivan Balliu. Në mesfushë Ylber Ramadani është shndërruar në një titullar i padiskutueshëm për skuadrën e Leçe, ndërsa një kontribut të madh dha edhe Kristjan Asllani një fitoren e thellë të Interit 4-0.

Një formë mjaft të mirë po kalon edhe Klaus Gjasula me skuadrën e Darmstadt. Sulmuesit Jasir Asani, Mirlind Daku, Taulant Seferi, Arbnor Muja, Ernest Muçi janë aktivizuar të gjithë si titullar me skuadrat e tyre por pa arritur që të japin kontribut në shënimin e golave.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit