Jemi mësuar që anash rrugëve nacionale të hidhen mbeturina të ndryshme, kryesisht plastikë, qelqë, metalikë e letër, por ndryshe ndodh në hyrje të qytetit të Peshkopisë.
Vetëm pak metra larg unazës dhe hyrjes së qytetit verilindor janë hedhur një numër i konsiderueshëm lëkura kafshësh. Banorët që jetojnë aty përreth thanë jashtë kameras se lëkurat janë hedhur gjatë natës dhe nuk kanë mundur dot të identifikojnë autorët.
Gjithsesi, sipas banorëve, me shumë mundësi, atom und të jenë hedhur nga subjekte të tregtimit të mishit me pakicë në qytetin e Peshkopisë.
Hedhja e lëkurave kryesisht deleve, ka bërë që në zonë të shpërthejë një aromë e keqe dhe me temperaturat e larta, të rritet rreziku për infeksione. Mes dhjetra lëkurave të hedhura në këtë zonë ka edhe mbeturina të tjera, kryesisht plastike.
Pamja e krijuar në këtë zonë është e shëmtuar, por më problem mbetet ndotja pasi shumë pranë ka edhe banesa dhe është ngjitur me rrugën nacionale Peshkopi – Tiranë. Banorët kërkojnë që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit Dibër, të ndërhyjë dhe të ndalojë këtë problematikë shqetësuese për të gjithë. Ndërkohë, kërkohet që të zbulohen autorëte kësaj ndotjeje mjedisore. /btvnews.al