Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk shkon në formë maksimale në sfidën me Çekinë. Sikur të mos mjaftonin mungesat e disa lojtarëve për shkak dëmtimesh, edhe futbollistët e grumbulluar kanë shfaqur probleme dhe kanë vënë në dyshim planet e trajnerit Silvinjo.
Në stërvitjen e djeshme të pasdites, ka rënë në sy mungesa e një emri që në fakt pritej shumë nga tifozëria kuqezi, Armando Brojës. Sulmuesi ka ndier shqetësime në gjurin e operuar dhe është preferuar që të mos rrezikohet, duke e lënë pushim në seancën e djeshme stërvitore.
Ai do të vlerësohet sot nga stafi mjekësor për të kuptuar nëse do të jetë apo jo në gatishmëri për duelin ndaj Çekisë.
Ndërkohë Keidi Bare nuk është bashkuar me grupin dhe ka punuar i diferencuar duke bërë kryesisht vrapime dhe pasime të lehta me topin. Mesfushori do të rivlerësohet sot se në çfarë gjendje është dhe nëse do të jetë i gatshëm për të luajtur.
Ndërsa Gjasula ka mbërritur në orët e pasdites në Shqipëri pasi ka kaluar situatën me infeksionin në grykë, por nuk ka arritur që të stërvitet me ekipin, duke marrë pjesë vetëm në seancën e fundit me pjesën tjetër të lojtarëve.
FORMACIONI- Sa u përket titullarëve që do të zbresin në fushë, Silvinjo do t’i besojë formacionit që mori një pikë në Pragë, me vetëm një ndryshim për shkak dëmtimi dhe një dilemë që është porta.
Mes Berishës dhe Strakoshës, braziliani duhet të zgjedhë njërin.
Ndërkohë vendin e Ismajlit në mbrojtje do ta marrë Arlind Ajeti, ashtu siç raportoi gazeta në numrin e djeshëm.
Krahas Gjimshitit do të vendoset mbrojtësi që ishte pjesë e kuqezinjve në “Euro 2016”, ndërsa nga krahët Hysaj dhe Mitaj. Në mesfushë do të jenë treshja: Asllani, Ramadani dhe Bajrami, ndërkaq përpara do ta nisin nga minuta e parë: Asani, Seferi dhe Cikalleshi.