Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2021 rreth 31 mijë të moshuar ishin të vetëm në banesat e tyre.
Rreth dy të tretat janë gra ose rreth 22 mijë, pasi kanë jetëgjatësi më të lartë se burrat.
Të dhëna më të detajuara tregojnë se, 16 mijë të moshuar që jetojnë vetëm i përkasin grup-moshës 65-74 vjeç, ndërsa rreth 15 mijë janë të mbi 74 -vjeç.
Gjithashtu edhe rreth 10 mijë persona në moshën 55-64 vjeç jetojnë vetëm.
Tradita e brezave që përkujdesen për njëri-tjetrin po shuhet në Shqipëri për shkak të plagëve që ka krijuar emigracioni, pakësimi i lindjeve dhe jetëgjatësia.
Po teksa tranzicioni demografik po ndodh shpejt politikat dhe reformat për mbështetjen e tyre nuk po ecin më të njëjtin ritëm.
Mijëra të moshuar sidomos ato që jetojnë vetëm janë në mjerim të plotë pasi pensioni mesatar në vend është më i ulët se kufiri i rrezikut për të qenë i varfër( INSTAT ka vlerësuar se kufiri i varfërisë ishte 191.791 në muaj me 2021).
Njësia e Kombeve të Bashkuara, për çështjet e punësimit (ILO) në një studim të posaçëm njoftoi se, popullsia e Shqipërisë po plaket me shpejtësi dhe në vitin 2020 rreth 91 mijë persona mbi 65 vjeç kishin nevojë për përkujdesje sociale afatgjatë.
Por, njëkohësisht infrastruktura e Shqipërisë për moshat e vjetra ende nuk është ngritur qoftë edhe teorikisht, ndaj moshat e treta në pamundësi nuk gëzojnë kujdes social për të pleqëruar me dinjitet.
Në Shqipëri nuk ka ende qendra funksionale të organizuara për pensionistët që jetojnë vetëm.
Pushteti lokal që është më pranë komunitetit ende nuk ka struktura të ngritura që të asistojnë dhe të ekzaminoje nevojat e personave të vetmuar.
Mungojnë klinikat shëndetësore të lëvizshme për të ofruar shërbime shëndetësore në banesa dhe në përgjithësi nuk ka një infrastrukturë që bën të lehtë rutinën e moshave të vjetra duke nisur që nga shërbimet e transportit dhe deri tek furnitura në shtëpi.
Gjithashtu ka pabarazi gjeografike në aksesin në shërbimet e kujdesit social ndërmjet rajoneve në Shqipëri.
Institucionet e kujdesit rezidencial mund të pranojnë vetëm 0,78% të numrit të vlerësuar të te moshuarve në nevojë, citon Monitor.
Kapaciteti aktual i kufizuar i sistemit publik të kujdesit afatgjatë nënkupton që të moshuarit e dobët nuk kanë asnjë alternativë, por mbështeten në familjet dhe të afërmit e tyre.
Të moshuarit që jetojnë vetëm në zonat rurale dhe të largëta janë veçanërisht të pambrojtur.
Vlerësohet se 46% e popullatës mbi moshën 65 vjeç e lart jetojnë në zona rurale.
Ata nuk jetojnë me anëtarët e familjes dhe nuk kanë akses në shërbimet formale të kujdesit afatgjatë.
Të moshuarit në zonat rurale gjithashtu përballen me disavantazhe në pensione, akses në kujdesin shëndetësor dhe programe të tjera të mbrojtjes sociale.