Autoritetet italiane kanë goditur një tjetër bandë kriminale të trafikut të drogës ndërsa kanë vënë në pranga 46 persona, pesë prej të cilëve të mitur. Mediat vendase raportojnë se ata akuzohen për përfshirje në grup kriminal me qëllim trafikun e drogës me rrethana rënduese të metodës mafioze.
Në fokus të hetimit ishin qendrat e trafikut të drogës që menaxhohen për llogari të grupit Nizza, pjesë e ‘familjes’ Santapaola-Ercolano. U sekuestruan pasuri dhe burime financiare në vlerë prej rreth 22 milionë euro. Hetimet nisën në vitin 2021 pas arrestimit të një shqiptari, të cilit iu gjetën 100 gram kokainë.
Kontrollet e mëvonshme çuan në identifikimin e një grupi prej 6 personash me kombësi shqiptare që dërgonin drogë në Trentino nga Ballkani. Hetimet e mëtejshme bënë të mundur identifikimin e tre grupeve të tjera kriminale të lidhura, duke përfshirë një të përbërë nga 16 persona që blinin drogë nga furnitorë në Evropën Veriore, veçanërisht në Belgjikë dhe i transferonin në Itali.
Dy grupet e tjera përbëheshin përkatësisht nga njerëz me origjinë tuniziane dhe shqiptare. Sipas asaj që rezultoi, të arrestuarit, nga të cilët 34 shtetas të huaj (shqiptarë, tunizianë, irakianë, anglezë dhe francezë), ishin përfshirë në trafikun e kokainës, hashashit, marihuanës, heroinës dhe krekit me origjinë nga Shqipëria dhe Belgjika dhe me destinacion Italinë.