Ish-lojtari i Partizanit e tregoi klasin e tij edhe ndaj Çekisë, ku shënoi një gol të bukur që në minutën e nëntë, duke i hapur rrugën një fitoreje me peshë. Në fund të ndeshjes Asani në vend që të ndërronte fanellën me ndonjë lojtar kundërshtar, ritualin e kryen me një personazh të veçantë. Pamjet kanë treguar që Asani është afruar te një tribunë e stadiumit, ku qëndronte tifozi special, Ballist (Ismail) Morina. E veçante është se të dy personazhet i ndërruan bluzat me njëri-tjetrin.
Në pamje të parë duket si një shkëmbim fanellash midis protagonistësh të kualifikuesve të Shqipërisë në Europian. Ballist Morina ishte personazhi më i përfolur kur kuqezinjtë arritën kualifikimin e parë në “EURO 2016”, ndërsa tani, ndonëse nuk është arritur zyrtarisht, Asani është një nga katalizatorët e suksesit drejt sigurimit të biletës për finalet e “EURO 2024” në Gjermani.