E premte, 29 Nëntor, 2024

Shqipëria me fat! Bullgaria në krizë rezultatesh

Pas fitores historike ndaj Republikës Çeke, kombëtaren shqiptare e pret një duel i lehtë në letër, miqësorja ndaj Bullgarisë. Kundërshtarët ballkanas vijnë pas humbjes së radhës në kualifikueset e Euro2024, 2-0 ndaj Lituanisë dhe nuk pritet të jenë kërcënim serioz për kuqezinjtë e Silvinjos.

Ndryshe nga Shqipëria, e cila kryeson grupin e saj eliminator, Bullgaria po kalon një krizë të madhe rezultatesh. Në 6 sfida kanë marrë vetëm dy barazime, me një bilanc golash tejet negativ, 3 të shënuar dhe 10 të pësuar. Ecuri që për fatin tonë të mirë nuk e ndihmon aspak kundërshtarin e së martës.

Afrimi akoma dhe më shumë me finalet e Europianit ka rritur moralin në shtëpinë e shqiponjave, që duan të ruajnë trendin e fitoreve radhazi në sfidën e 17 Tetorit sërish në ‘Air Albania’. Pavarësisht ndryshimeve në listë, atmosfera nuk ka ndryshuar në kampin e kombëtares, me futbollistët që duket se kanë gjetur ritmin dhe po i binden me përpikmëri udhëzimeve të trajnerit brazilian.

Fitorja ndaj Bullgarisë ka vetëm vlera statistikore për kuqezinjtë, të cilët duan të ruajnë ecurinë fenomenale të rezultateve pozitive. Por, kjo mund të shërbejë edhe si trampolinë për kuqezinjtë në renditjen e FIFA-s.

Megjithëse një 90 minutësh që nuk vlen pikë, Shqipëria e 62-ta në botë do të ketë përballë vendin e 78 në renditjen e kombëtareve botërore. Një duel tepër i rëndësishëm për vazhdimësinë e kombëtares sonë.

Artikuj te ngjashem

Me te fundit