Ushqyerja e shëndetshme e kombinuar dhe me aktivitet fizik të rregullt, janë guri i themelit për një shëndet të mirë dhe njëherësh mjete shumë efikase për parandalimin e shumë sëmundjeve. Në Ditën Botërore të Ushqimit, eksperti i shëndetit publik, Alban Ylli bën apel për një dietë ushqimore të ekuilibruar dhe sa më pak mish të kuq.
“Ka një konsensus tani ndërkombëtar se mishi i përpunuar në mënyrë industrial është kancerogjen në të njëjtin grup që janë duhani, alkooli, asbesti. Mishi i kuq konsiderohen kancerogjen i dyshuar. Ende nuk ka një konsensus të plotë lidhur me këshilllën për publikun lidhur me sallamet, por ne themi që duhet të hamë sa më pak, unë do të thosha njëhër në javë.”
Sipas tij sa më herët të fillohet zbatimi i praktikave të rekomanduara të ushqyerjes, aq më i shëndetshëm do të jetë individi gjatë gjithë jetës. Ndaj synim është ndalimi i reklamave të sallameve ku përdoren fëmijët.
“Ne kemi tashmë një strategji të sëmundjeve kronike në Shqipëri në të cilën ka edhe disa propozime interesante për të filluar me disa politika për të limituar konsumin e mishit të përpunuar në mënyrë industrial sidomos tek fëmijët. Ne do të testojmë nëse është e mundur legjislacioni shqiptar të ndalojmë reklamat që përdorin fëmijët si agjent komunikimi me publikut lidhur me konsumin e sallamrave.”
Sipas ekspertit Alban Ylli ushqyerja është një faktor rrisku për shumë problematika shëndetësore përfshi edhe obezitetin i cili ka ardhur në rritje në vendin tonë.
“Para 20 vitesh jemi marr me kequshqyerjen nga pikpamja e mos marrjes së sasisë së duhur të ushqyerjes dhe tani jemi në situatën ku duhet të kontrollojmë obezitetin.Të paktën ta frenojmë rritjen e cilsa vihet re në Shqipëri dhe me shumë gjasa do të përkthehet edhe në parametra shëndetësor.”
Ekspertët e shëndetit publik në ditën botërore të ushqimit këshillojnë përdorimin e ditor të sa më shumë perimeve, zarzavate, ndërkohë që rekomandohet eleminimi i ëmbëlsirave si dhe pijet me gaz dhe sheqer të shtuar.