Më në fund, Autoriteti rrugor Shqiptar është kujtuar të investojë në rrugën më të rëndësishme të zonës së Martaneshit, atë Qaf Buall – Krastë.
Katër ditë më parë, ARRSH ka tenderuar projektin për Sistemim asfaltim rruga Qafa e Buallit – Martanesh.
Tenderi është hapur me datë 13 Tetor dhe do të mbyllet me datë 15 Nëntor të këtij viti. Vlera e fondit të akorduar për këtë projekt është 1 miliard e 86 milion lekë, ose 10.3 milion euro.
Operatorët ekonomik kanë mundësinë të paraqesin ofertat e tyre deri në limmitin kohor të mbylljes së pranimit të ofertave që është data 15 Nëntor.
Referuar dokumenteve të tenderit nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, rruga do të përmirësohet dhe do të përfshihet në kategorinë C3 të rrugëve interurbane dytësore.
Kjo rrugë ka qenë një gangrenë e kahershme e banorëve dhe subjekteve që operojnë në zonën e Martaneshit.
Megjithëse në këto 33 vite demokraci ka gllabëruar qindra million lekë për mirëmbajtje nga taksat e shqiptarëve, gjendja e saj ka qenë vazhdimisht problematike.
Një fakt të tillë e tregojnë edhe lapidaret e ndërtuara për personat që kanë humbur jetën në këtë aks rrugor me gjatësi 16.5 kilometra nga Qafa e Buallit deri në Krastë të Martaneshit. /btvnews.al