Qindra artistë të ardhur nga të gjitha trevat shqip folëse, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut mbushën rrugët dhe sheshet në Peshkopi dhe Dibër të Madhe.
Festivali Oda Dibrane është festivali më jetë gjatë dhe më i rëndësishmi pas atij të Gjirokastrës, pasi mbledh grumbullon dhe promovon vlerat artistike të folklorit tonë.
Ky festival është një veprimtari specifike dhe origjinale në Shqipëri dhe më gjerë. Në këtë eveniment tashmë të përvitshëm marrin pjesë ansamble dhe grupe folklorike e popullore nga Shqiperia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. E veçanta e këtij festivali është se mbahet në dy shtete, dhe është konceptuar i tillë për të treguar se ndarja e Dibrës nga kufiri shtetëror nuj ekziston, ajo është një, ka një Odë, të njëjtat tradita.
Specialistët e folklorit shprehen se muzika komerciale po e sfumon folklorin, por mbeten ende me shpresë pasi në përbërje të grupeve ka ende gjenerata të reja që me pak vëmendje mund ta ngrejnë dhe tua përçojmë brezave folklorin tonë.
Natën finale juria vlerësoi me mirënjohje artistë, instrumentistë dhe këngëtarët që spikatën më shumë.
U vlerësuan grupe për performancën dhe kostumografinë. Çmimin e grupit më të mirë e mori Ansambli Lura.
Festivali Folklorik “Oda Dibrane” ka për qëllim të prezantojë kulturën e popullit tonë si edhe të promovojë vlerat e trashegimisë shpirtërore në një gjini të veçantë, atë të këngës dhe valles humoristike, të ritit dhe alegorisë si edhe ti mbrojë keto vlera. /btvnews.al