“Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken. Nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore”.
Ndaj ai thekson se askush nuk duhet të mbyllë sytë përballë një masakre të tillë.
“Deklarata e Kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit. Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrënqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit”.
Duke konfirmuar edhe një herë se në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit, Rama kerkon që të përcaktohet përgjegjësia për këtë sulm.
“Bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”.
Për sulmin që shkaktoi një masakër të vërtetë mbrëmjen e së martës në Gaza, Hamasi ka akuzuar Izraelin, por Tel Avivi thotë se kjo është vepër e xhihadit islamik.