E enjte, 28 Nëntor, 2024

Salianjit i fikin dritat në Kuvend, opozita në errësirë

Parlamenti dështoi sot që të zhvillonte seancë të rregullt plenare, pasi opozita bllokoi karriget e ministrave duke kërkuar që t’i respektohen  të drejtat dhe kërkesat e tyre parlamentare.

Në këto kushte, pasi seanca u mbyll zyrtarisht, deputetë të opozitës mbajtën fjalime live në rrjetet e tyre sociale në Facebook.

Por teksa deputeti i PD Ervin Salianji po mbante një fjalim të tillë dhe denonconte mazhorancën, në sallën e Parlamentit u fikën dritat pasi seanca u deklaruar e mbyllur zyrtarisht.

“E paprecedentë është sjellja ku PS kërkon që të emërojë dhe me forcën e kartonit emëroi dhe bashkëkryetarin e Reformës Zgjedhore që i përket opozitës me vullnet të plotë. Nuk ka ndodhur asnjëherë në këtë parlament që komisionet bipartizane dhe për më tepër komisione të cilat lojtarë kanë partitë politike të përjashtohet opozita parlamentare për të caktuar bashkëkryetarë deputetë të cilët i pëlqejnë PS-së. Në këto kushte, në mënyrë të përsëritur kjo mazhorancë ka vazhduar në mënyrë arbitrare të mos njohë të drejtat e njohura me Kushtetutë dhe me ligj deputetëve të opozitës. E njëjta histori me rrëzimin e komisioneve hetimore parlamentare për avionin, për charterin e Kryeministrit apo për komisione të tjera hetimore të kërkuara dhe të rrëzuara nga PS nga frika se hetimi parlamentar i bërë nga deputetë të pakapur dhe jo nga institucione të kontrolluara e nga qeveria, do të nxirrte në pah të gjitha abuzimet, gjithë shkeljet, gjithë korrupsionin. E për këto arsye, PS dhe grupi i saj parlamentar nuk ka për ta pranuar dhe nuk ka për të pasur normalitet në Parlament përderisa kjo sallë dhe ky institucion nuk po sillet si i tillë, por po sillet sikur të jetë pronë dhe vasal e drejtpërdrejt e Kryeministrit Edi Rama. Me prepotencë e mbyllin seancën plenare sikur të jetë pronë e tyre, sikur t’i vënë çelësin ndonjë kasolleje ku ata mbajnë paratë. I fikën edhe dritat, por nuk ka asnjë marifet, asnjë rrugë dhe nuk ka asnjë lloj përpjekje që bën PS që do ta vendosë përfund opozitën. Ne do të bëjmë ç’është e mundur që në këtë vend të kthehet ligjshmëria, institucioni dhe institucionet dhe padiskutim që do thërrasim në ndihmë edhe qytetarët”, u shpreh deputeti Salianji. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit