Papa Françesku ka bërë thirrje për t’i dhënë fund sulmeve dhe dhunës në Izrael dhe Gaza.
“Edhe një herë mendimet e mia shkojnë tek ajo që po ndodh në Izrael dhe Palestinë. Jam shumë i shqetësuar dhe i trishtuar. Lutem dhe jam pranë të gjithë atyre që vuajnë, pengjeve, të plagosurve, viktimave dhe familjeve të tyre. Mendoj për situatën e rëndë humanitare në Gaza dhe më vjen keq që ditët e fundit është goditur edhe spitali anglez dhe famullia greko-ortodokse. Përsëris thirrjen time që ndihmat humanitare të vazhdojnë të mbërrijnë dhe pengjet të lirohen.
Duke folur para besimtarëve të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit Ati i Shenjtë theksoi se terrori dhe lufta nuk do të zgjidhin asnjë problem.
“Ndaloni sulmet dhe armët, ju lutem, sepse duhet kuptuar se terrori dhe lufta nuk sjellin zgjidhje, por vetëm vdekje dhe vuajtjen e shumë personave të pafajshme. Lufta është një disfatë, çdo luftë është e tillë.
Shqetësimi është rritur për një krizë humanitare në Gaza, ku Izraeli ka ndërprerë ujin, ushqimin dhe energjinë elektrike.
“Kemi që nga mëngjesi që presim tek dera e furrës, vetëm Zoti e di vuajtjen tonë. Nëse situata vazhdon në të njëjtën mënyrë edhe për dy-tre ditë të tjera, do të jetë një katastrofë në Rripin e Gazës që askush nuk mund ta imagjinojë. Fëmijët janë të uritur.”
Organizata të ndryshmne, përfshirë Kombet e Bashkuara, kanë ngritur alarmin për gjendjen e rëndë humanitare të civilëve në Gaza.