E martë, 22 Prill, 2025

Gjykata e la në “arrest me burg”, Jamarbër Malltezi ankimon vendimin e masës së sigurisë

Jamarbër Malltezi ka ankimuar vendimin e gjykatës për masën e sigurisë dhënë ndaj tij, “arrest me burg”.

Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha u arrestua nga punonjës të policisë në datën 21 tetor në aeroportin e Rinasit, ndërsa akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash lidhur me privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” në kryeqytet.

Kujtojmë se për Malltezin është dhënë edhe urdhri për sekuestrimin e pasurive të tij, mes të cilave apartamente në zonën ku ndodhej ish-kompleksi sportiv si dhe vila në Lalëz.

Katër ditë më parë, pas vendimit të GJKKO që vendosi ta lërë në burg, avokati i Malltezit, Klodian Skënderi, tha se nuk ka vepër penale pasi personat nën hetim, duke përfshirë këtu dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi janë në një marrëdhënie juridiko-civile të pastër. Sipas tij, do shumë guxim të akuzosh persona që janë trashëgimtarë të ligjshëm të pasurive nga familje të mirënjohura tiranase.

“Në rastin konkret nuk ka vepër penale pasi personat nën hetim janë përballë një marrëdhënie juridiko-civile të pastër. Nuk mund të aludohet që me anë të ligjeve apo VKM-ve që as janë atakuar në kohë, as janë kundërshtuar, të pretendohet kryerja e një vepre penale. Qëndrimi jonë në raport me akuzat e atribuara në rastin e Jamarbër Malltezit është një qëndrim mohues dhe këtë e them me bindje.

Kemi parë për aq sa mundëm fashikujt e depozituar nga ana e Prokurorisë në Gjykatë dhe të akuzosh dikë sepse është një trashëgimtar i ligjshëm i një familje të mirënjohur tiranase siç është familja Begeja dhe se ka lidhur marrëdhënie kontraktore me një trashëgimtar tjetër të një familje tjetër tiranase është shumë e guximshme. Standardi i provueshmërisë është shumë i ulët dhe me këto aludime në këtë vend po cenohet parimi i sigurisë juridike” – u shpreh avokati.

Gjatë deklarimit në seancën me dyer të mbyllura, Malltezi tha pasditen e 23 tetorit se procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000.

“Nuk e dija që armiku isha unë. Procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000.

Është firmosur inventarizimi nga kryeministri aktual që është Edi Rama, i cili ka qenë kryetar bashkie”- tha Malltezi. /btvnews.al

Artikuj te ngjashem

Me te fundit