Tanket izraelite kryen një tjetër mësymje nga toka në Rripin e Gazës, natën e kaluar. Mjetet e rënda të blinduara të ushtrisë izraelite hynë për të parën herë deri në qendër të qytetit të Gazës, ku goditën disa objektiva të Hamasit. Trupat mbrojtëse të Izraelit thanë se gjatë këtij operacioni u ekzekutua Shadi Barud, zëvendës/kreu i inteligjencës së Hamasit. Njësia e tankeve u kthye pa asnjë dëmtim.
Kjo është hera e dytë brenda 24 orëve që tanket izraelite kryejnë sulme të kufizuara nga toka në Rripin e Gazës, të ndihmuar edhe nga avionët ushtarakë. Kryeministri Benjamin Netanjahu tha se sulmet e kufizuara janë hapa që i paraprijnë ofensivës së madhe hakmarrëse tokësore, për të cilën ushtria izraelite është në pritje të urdhrit për të nisur përgjatë kufirit me Rripin e Gazës.
Ndërkaq, Hamas ka paralajmëruar se nuk do të lirojë më shumë se 200 pengjet që mori 7 Tetor gjatë sulmit në jug të Izraelit, nëse nuk arrihet një marrëveshje armëpushimi me Izraelin. Në një intervistë për median britanike BBC, zv/ministri i Jashtëm i Hamasit, Ghazi Hamad refuzoi pyetjen se si e justifikonte vrasjen e të pafajshmëve nga militantët e këtij grupimit gjatë sulmit në Izrael dhe la atë përgjysmë.
Numri i viktimave në Rripin e Gazës ka arritur në mbi 7 mijë në 3 javë sulme izraelite, ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmërojnë se të gjitha depozitat e naftës në janë drejt fundit dhe pritet që asnjë spital të mos ketë më energji elektrike, duke thelluar katastrofën humanitare.