E diel, 24 Nëntor, 2024

UNICEF jep alarmin për gjendjen në Gaza

UNICEF jep alarmin se fëmijët dhe familjet në Gaza po vuajnë edhe për ujë të pijshëm. Sipas një raporti të kësaj organizate, mungesa e energjisë elektrike për shkak të bllokadës së gjithanshme përfshirë edhe furnizimin me naftë ka ndalur së funksionuari edhe impiantet e shkripëzimit të ujit të detit, burimi kryesor i ujit të pijshëm për banorët e Rripit të Gazës.

Sipas OKB-së pavarësisht gati 100 kamionëve me ndihma që kanë hyrë ditët e fundit nga Egjipti, banorët e Rripit të Gazës kanë nevojë për shumë herë më shumë furnizime.

Qartë situata duket në këto pamje ku me mijëra palestinezë shfaqën duke u dyndur e mbajtur radhë në pikat e Kombeve të Bashkuara të shpërndarjes së ndihmave.

Në një konferencë për shtyp, prokurori i gjykatës ndërkombëtare për krimet, Karim Khan tha se privimi i civilëve nga nevojat elementare si ushqimi dhe ilaçet përbën krim lufte.

Ai i bëri thirrje Izraelit që menjëherë të heqë bllokadën ndaj popullsisë civile. Bllokada izraelite megjithatë ka për qëllim që të detyrojë Hamasin të lirojë 220 pengjet e marra në sulmin e befasishëm të 7 Tetorit dhe ta dobësojë grupin e militantëve para sulmit të madh ushtarak që Izraeli ka në plan kundër tyre.

Ushtria izraelite bëri thirrje për evakuimin e plotë të spitalit Al Kuds në Gaza, pas goditjes së disa objektivave pranë këtij spitali ku mendohet se kanë bazat e tyre të fshehta militantët e Hamasit.

Por Ministria e Shëndetësisë nën kontrollin e Hamasit në Gaza tha se evakuimi i spitalit më të madh ende funksional është i pamundur pasi është i mbingarkuar me pacientë veçanërisht në terapinë intensive.

Vëmendje ka tërhequr edhe ky tubim në Dagestan të Rusisë, ku protestues pro-palestinezë mësynë aeroportin rajonal ku sulmuan pasagjerët hebrenj.

Qeveria izraelite i bëri thirrje Moskës të garantojë sigurinë e shtetasve izraelitë.

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit