Sulmuesi kuqezi shënon dhe asiston në fitoren e Mohun Bagan
Armando Sadiku thyen mallkimin dymujor dhe më në fund feston në Indi. Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte vendimtar në fitoren e Mohun Bagan 3-2 në transfertën e Jamshedpur, duke shënuar dhe dhuruar asist. Sadiku gjeti golin e parë në tokën indiane, për të shënuar atë të barazimit dhe hapur udhë përmbysjes së shokëve të skuadrës. 32-vjeçari e kishte lojë fëmijësh në minutën e 28-të për të tundur rrjetën kundërshtare. Sadiku depozitoi në fundin e rrjetës asistin nga e djathta për të barazuar shifrat në 1-1.
Në pjesën e dytë skuadra e shqiptarit përmbysi gjithçka, ndërsa për të konsoliduar fitoren e tyre mendoi sërish Sadiku. Ish-lojtari i Legias, Levante dhe Malaga asistoi për shokun e skuadrës, i cili shënoi për t’i dhënë trepikëshin e radhës Mohun Bagan. Këto të fundit kryesojnë kampionatin me pikë të plota pas 4 takimesh, teksa për Sadikun ishte goli dhe asisti i parë në katër paraqitje në kampionat. Performanca u vlerësua me notën 7.8 për të qënë ndër lojtarët më të mirë në fushë.