E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Inter nuk ndalet as në Bergamo

Interi nuk është ndalur as në Bergamo. Zilkatërit, edhe pse me veshtirësi, kanë arritur të triumfojnë 2-1 ndaj Atalantës. Në këtë sfidë të fortë, skuadra e Inzagit e nisi ndeshjen në mënyrë të kujdesshme duke u përpjekur që të frenojë entuzizmin e ekipit vendas.

Duelet në mesfushë mbizotëruan në fraksionin e parë të lojës. Balancat u prishën në minutën e 38-të kur Darmian pengohet në zonë nga portieri i Atalantës. Çalhanoglu ekzekutoi me saktësi 11-metërshin duke e kaluar Interin në avantazh.

Me fillimin e pjesës së dytë, skuadra milaneze vijoi të ishte agresive duke arritur të shënojë golin e dytë në minutën 57, pas një supergoditje të Lautaro Martinez. Me rezultatin 2-0 u duk sikur ndeshja u mbyll, por 4 minuta më pas Skamaka ngushtoi shifrat në 2-1.

Pas golit Atalanta shtoi presionin dhe Interit iu desh të luftonte shumë për të ruajtur rezultatin. Bergamaskët patën disa raste, por nuk ishin të qartë në fazën finale. Vendasit e mbyllën ndeshjen me 10-të lojtarë, pasi në minutat e fundit Toloi mori kartonin e dytë të verdhë.

Me këtë fitore, që është e treta radhazi, Interi është ngjitur në kuotën e 28 pikëve duke mbajtur pas rivalët për kreun e Serisë A.

 

Artikuj te ngjashem

Me te fundit